Komisioni fut në dosje opinionin e 'Venecias'! Manja: Brenda 5 ditëve 'Metën' e çojmë në Kuvend

  • 4 years ago
Pas më shumë se 3 muajsh pushim për shkak të situatës së COVID-19, Ulsi Manja thirri këtë të hënë mbledhjen e Komisionit Hetimor për Presidentin Ilir Meta. Mbledhja po zhvillohet prej orës 14:00 dhe do të diskutohet opinioni final i Komisionit të Venecias, i cili i dha të drejtë kreut të Shtetit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se mazhoranca ende nuk e ka një qëndrim përfundimtar nëse do të vendosin shkarkimin ose jo të kreut të shtetit, megjithatë referuar deklaratës së bërë nga kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja, ka pasur një reflektim nga ana e presidencës. Kur thotë reflektim, e ka fjalë për zgjidhjen e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese.

Fillimisht, komisioni hetimor u ngrit për shkeljet e pretenduara të Presidentit për anulimin me dekret të zgjedhjeve të 8 qershorit të kaluar. Më pas, iu bashkangjit edhe hetimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kur në vend të Arta Vorpsit, Presidenti zgjodhi Marsida Xhaferrllarin. Raporti përfundimtar i Komisionit hetimor do të jetë gati para datës 30 korrik dhe do të shqyrtohet në një seancë të veçantë, e cila do të jetë vendimtare për fatin e Ilir Metës.

Diskutimet në Komisionin Hetimor
Halit Valteri: Nuk po merret vesh, çfarë do të bëjmë, sa herë acaroheni me Metën thërrisni komisionin.

Ulsi Manja: Komisioni është në përfundim të punës së tij. Pasi të disponojmë provat do të mbyllim dhe do të miratojmë raportin që do i paraqitet seancës. Këtij komisioni i mbaron afati në 30 korrik, por raporti i komisionit për seancën duhet të jetë gati brenda datës 18 korrik.

Komisioni do të ketë një produkt. Ju ftoj që opinionin e Venecias ta votojmë për ta bërë pjesë. Me vendim të ndërmjetëm, kush është dakord të bëhet pjesë e dosjes së komisionit hetimor? Pro, 1 kundër (Halit Valteri), asnjë abstenim.

Recommended