3 orë në prokurori/ Dvorani ironizon Metën: Çështjet ligjore nuk shtrohen me filma

  • 5 years ago
TIRANE- Për tre orë përpara organit të akuzës, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka dhënë shpjegime lidhur me padinë që kreu i shtetit Ilir Meta depozitoi ndaj tij duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, duke mbajtur në duar një zarf me një kopje të kallëzimit penal dhe fletë-thirrjes për në Prokurori, Dvorani është ndalur të flasë për mediat lidhur me akuzat ndaj tij. Duke ironizuar deklaratat që kreu i shtetit ka bërë, se ka prova me video përvëluese (të cilat u konluduan dje me një video përmbledhëse të të gjithë akuzave publike), Dvorani tha se institucionet dhe funksionarët nuk duhet t'i shtrojnë problematikat e tyre me produkte artitike apo filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë.

Ai ironizoi edhe deklaratën që kreu i shtetit bëri se prokuroria nuk duhet të ndikohet nga presionet politike, duke thënë se këshillat, rekomandimet dhe sugjerimet janë të pakuptimta dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës.