Mbipopullim e kushte të këqija / Avokati i Popullit kërkon mbylljen e burgjeve në Sarandë e Burrel

  • 5 years ago
Kushtet e këqija dhe amortizimi në të cilin ndodhet burgu i Sarandës dhe ai i Burrelit ka vënë në lëvizje Avokatin e Popullit, i cili ka kërkuar mbylljen e menjëhershme të këtyre institucioneve.

Sipas këtij dokumenti siguruar nga Report Tv Avokati i popullit thotë: ?Rekomandim për mbylljen e menjëhershme të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Sarandë, në vijim të rekomandimit me shkresë nr.K4/I88-2 prot., date 28.12.2017?.Po ashtu në Mars të këtij viti Avokati i Popullit ka kërkuar edhe mbylljen e burgut të Burrelit me një numër të konsiderueshëm të dënuarish. Sipas dokumentit, rezulton se rekomandimi për mbylljen e këtij institucioni është përsëritur brenda dy viteve përfshi 2017-2019.Ndërsa në rekomandimet e Avokatit të Popullit kërkohet përmirësim i kushteve të të dënurve dhe paraburgosurve në Berat, 302 Mine Peza Tiranë, Vaqarr, Tepelenë, Shënkoll Lezhë, Tropojë, dhe burgun e grave në Ali Dem.

Këto shkresa i janë përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve, ndërsa sipas interesimit të ReportTv këto institucione vazhdojnë ende të jenë në funksion pasi ende nuk është gjetur një zgjidhje për akomodimin e të dënuarve që mbahen aty.

Prej vitesh mbipopullimi, kushtet higjeno sanitare dhe ato të ushqimit kanë qenë ndër problemet e konstatuara në burgje, denoncuar edhe nga vetë të burgosurit ndërsa hapja e burgut më të ri në Rec të Shkodrës ka zbutur këtë situatë por pa dhënë zgjidhe përfundimtare.