Vendi “pushtohet” nga acari

  • 5 years ago
Temperaturat janë ulur ndjeshëm duke arritur në disa zona të juglindjes deri në -13 gradë. Prej disa ditësh janë të izoluara disa fshatra në zonën e Mokrës në Pogradec, në Bashkinë e Korçës, Kolonjës , Maliqit dhe Devollit.

Në kohën kur temperaturat shënonin -13?, një person u gjet i pajetë në rrugën rruga e fshatit Ravonik të Korçës. Dyshohet se 55-vjeçari Jani Poda humbi jetën nga një atak kardiak si pasojë e të ftohtit, teksa po lëvizte me biçikletë për të shkuar në punë.

Rrugët nacionale të qarkut të Korçës janë të hapura, por nga policia këshillohet të tregohet kujdes për shkak të pranisë së shtresave të akullit.

Me zinxhirë lëvizet drejt destinancioneve turistike siç janë Dardha dhe Voskopoja. Edhe në Tepelenë reshjet e dëborës kanë izoluar zonën e Kurveleshit dhe fshatin Golem.

Në Frashër të Përmetit dhe në Bashkinë e Këlcyrës rrugët që lidhin fshatrat me qytetet qarkullohen vetëm me zinxhirë. Ngrica ka edhe në qafën e Llogarasë ndaj të gjitha mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Katër borëpastruese dhe dy kamionë të rëndë janë angazhuar për hedhjen e kripës.
Ndërsa në veri dhe verilindje ka një përmirësim të situatës. Në Rrugën e Kombit lëvizet pa zinxhirë. Bashkia ka ndërhyrë në rrugët Kukës-Shishtavec dhe fshatrat e Njësisë Administrative Zapod. Të bllokuara mbeten Arrni e Grykëcaja. Temperaturat kanë shënuar deri në minus 5 gradë.

Në qarkun e Dibrës gjatë orëve të fundit kanë munguar reshjet e dëborës, por temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme. Në njësitë administrative Lurë, fshatrat e Selishtës, Sllovës, Ostrenit, Krastës dhe Xibrit mund të qarkullohet vetëm me makina të larta.

Tv Klan

Recommended