Ngatërresa e policisë me vrasësin, flet për Report Tv Sokol Hoxha

  • 6 years ago
Flet për Report Tv Sokol Hoxha, personi të cilin policia e ngatërroi me të shumkëkërkuarin për vrasje. 44 vjeçari nga Çorovoda tregon se prej vitit 2002 vuan nga ngatërresa dhe ëhstë shoqëruar disa herë në polici. Madje ai tregon se asnjëherë nuk I kanë dhënë vizë si dhe Italia i dogji dokumentet për shkak të ngatërresës. Ndodh që me të njëjtat gjeneralitet të ketë më shumë se dy persona. Por rasti i Sokol Hoxhës nga Çorovoda mund të cilësohet si një rast unikal.

44 vjeçari prej vitesh heq peripecitë e një të dënuari me 25 vite burg për vrasje që mban të njëjtin emër dhe mbiemër, por për ironi ka edhe emrin babait të njëjtë, Kadri, si dhe të njëjtin vitlindje, por ndryshon data. Një ditë më parë, Sokol Hoxha, i dënuari për vrasje, u ripublikua nga policia si i shumëkërkuar, por këtë herë ngatërresa u bë edhe më e madhe, pasi policia si foto kishte vendosur 44 vjeçarin nga Skrapari, që kurrë nuk ka pasur probleme me drejtësinë. Me humor babai i dy fëmijëve thotë për Report Tv se kjo i vuri kapakun të gjitha peripecive.

Për herë të parë këtë ngatërresë Sokol Hoxha e ka konstatuar në vitin 2002 kur është ndaluar në Aeroportin e Rinasit, teksa do të udhëtonte në Itali. Ai tregon se është arrestuar me shumë bujë dhe nën masa të rrepta sigurie është dërguar për në komisariatin e Fierit. Por ky nuk është episodi i vetëm pasi kjo situatë i është ripërsëritur sa herë ka udhëtuar jashtë vendit. Madje Hoxha tregon se për shkak të ngatërresës ai është ndaluar edhe në Itali dhe për këtë shkak i kanë djegur edhe lejen e qëndrimit, madje edhe më pas nuk i është dhënë asnjëherë vizë.

Për vite me radhë, ai tregon se sa herë kërkonte dëshmi penaliteti për të zgjidhur problemet, dëshmia i vinte si i dënuar, madje policia i kishte komunikuar që nuk i jepte dot dëshmi, pasi kishin frikë se mos ajo binte në dorë të të shumëkërkuarit. Sa i përket adashit të tij, që i ka shkaktuar jo pak probleme gjatë jetës, ai tregon se nuk e njeh dhe as ka dëgjuar asnjëherë për të, veçse në rastet kur merret për verifikim nga policia. Kësaj ngatërrese 44 vjeçari i druhet edhe për faktin se familjarët e personit të vrarë nga Sokol Hoxha nga Fieri, mund të ndeshen në rrugë me të dhe ngatërresa mund të sjellë pasoja të rënda.

Recommended