Task Forca Antikorrupsion shkund AKU e Lezhës, Gjonaj: Ndjekje penale drejtorit dhe 6 specialistëve

  • 6 years ago
Task Forca Antikorrupsion në javën që lamë pas është zhvendosur në rrethin e Lezhës dhe ka kryer kontrolle në institucione si Spitali Rajonal, AKU dhe Drejtoria Bujqësore. Rezultatet e kontrolleve të tyre i bëri të ditura sot në një konferencë për shtyp, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Si rezultat, i gjetjeve të inspektimeve të Task Forcës, janë rekomanduar 26 masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve, prej të cilave, 7 masa janë për largim nga shërbimi civil.

Konkretisht është rekomanduar largim nga shërbimi civil për: 1 inspektor të Drejtorisë Rajonale lezhe AKU si dhe 6 inspektorë të Drejtorisë Tiranë të AKU, të cilat janë angazhuar në inspektime pranë drejtorisë së Lezhës.

Nga kontrollet janë konstatuar shkelje të rënda, në kufijtë e veprës penale për të cilat Task Forca Antikorrupsion së bashku me strukturat përgjegjëse ka depozituar kallëzimet penale pranë organit të prokurorisë së rrethit gjyqësor, Lezhë.

Bazuar, në shkeljet e konstatuara është depozituar kallzim penal për 7 punonjës të niveleve të ndryshme të këtyre institucioneve.

Konkretisht për: Ish-drejtorin e AKU-se Lezhë si dhe 6 inspektorë të këtij institucioni, të cilët dyshohet të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime që kanë cënuar rëndë përmbushjen e detyrimeve ligjore në lidhje me sigurinë ushqimore.

Recommended