OBSH rrit nivelin e alarmit për koronavirusin

  • 4 years ago
Organizata Botërore e Shëndetësisë e rriti nivelin e alarmit për koronavirusin. Rreziku i përhapjes globale është shumë i lartë edhe pse situata në Kinë po stabilizohet, thuhet në një deklaratë të saj.
Gjendja është më shqetësuese në Itali. Numri i të infektuarve ka arritur në 889, por mbi 400 janë pa simptoma.
21 persona kane humbur jetën, ndërsa të shumtë janë italianët që kanë shpërndarë virusin nëpër Europë dhe në Afrikë.
Harta e përhapjes së virusit po zgjerohet.
Gjermania i frikësohet shpërthimit të një epidemie, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten për një rritje të numrit të të prekurve.
Për të parën herë që kur virusi u zbulua muaj më parë, të Premten e 28 Shkurtit u regjistruan më shumë raste të reja nëpër botë sesa në Kinë.
Aktualisht janë 49 shtetet që kanë konfirmuar raste të virusit të rrezikshëm. 8 iu shtuan listës vetëm të Enjten.
Numrin më të lartë me 79 251 të prekur dhe 2 835 viktima e mban Kina.
Teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë i frikësohet shpërthimit të një pandemie, specialistet e virologjisë thonë se virusi mund të zhduket me rritjen e temperaturave, me ardhjen e pranverës në hemisferën veriore.