Arrin ne 14 numri i viktimave nga koronavirus ne Itali

  • 4 years ago
Koronavirusi ka shënuar 2 viktima të tjera në Itali duke e çuar në 14 numrin e tyre. Zyrtarët italianë të shëndetësisë thanë se sërish bëhet fjalë për të moshuar, me probleme shëndetësore të mëparshme. Të dhënat më të fundit tregojnë se edhe numri i të prekurve është rritur, duke shkuar tashmë në 528. Masat vijojnë të jenë të rrepta dhe kontrollet janë shtuar.

Nga Italia ka edhe lajme të mira. 42 persona janë shëruar plotësisht nga virusi. E shëruara e parë nga ky virus është një 47-vjeçare nga rajoni i Venetos, e cila tha për të përditshmen Corriere della Sera se kishte marrë vetëm një ilaç për dhimbje koke dhe asgjë më shumë. Nuk kishte pasur temperature dhe mjekët e kishin këshilluar të merrte antigrip të zakonshëm në shtëpi.

Autoritetet lokale në Milano thanë se së shpejti do t?i jepet fund gjendjes së jashtëzakonshme dhe se do të hapen gradualisht institucionet publike, teatrot, muzetë e shkollat.

Italianët gjithsesi janë shkaktarë të përhapjes së koronavirusit në disa vende europiane. Në Rumani është konstatuar i infektuari i parë, një person i cili kishte shoqëruar një 71-vjeçar të infektuar nga Rimini, i cili kishte vizituar vendin për gjueti. Ka arritur në 3 numri i të infektuarve edhe në Greqi, të gjithë të kthyer nga udhëtimet në Itali gjatë ditëve të fundit.

Arabia Saudite ka pezulluar për një afat të pacaktuar, hyrjen e të huajve për pelegrinazhin në dy vendet e shenjta të fesë islame, Mekë dhe Medinë.

Por një lajm i keq vjen nga Japonia, ku një 40-vjeçar i shëruar nga koronavirusi rezulton të jetë infektuar sërish. Mjekët thonë se rikthimi është normal. Kryeministri Shinzo Abe urdhëroi mbylljen e shkollave dhe institucioneve publike.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, presidenti amerikan Donald Trump tha se rreziku i koronavirusit për vendin e tij është i ulët. Megjithatë, ai emëroi zëvendësin e tij Mike Pens në krye të një ekipi për kundërpërgjigjen ndaj situatave emergjente.

Aktualisht numri i viktimave në të gjithë botën ka arritur në mbi 2800 dhe mbi 82 mijë ai i të infektuarve.

Tv Klan

Recommended