Vrasja në Tiranë - (8 Prill 2000)

  • 4 years ago
Arkiva Lajme - Tv Klan 2000

Shpëtim Suli dhe Agim Rokaj kanë mbetur të vdekur mbrëm afër mesnatës pas një atentati të përgjakshëm, vetëm pak metra larg drejtorisë së policisë së Tiranës. Dy të rinj të tjerë që udhëtonin bashkë me ta në një Mercedez Benz ngjyrë gri me targa bullgare kanë mbetur të plagosur. Breshëritë e një karikatori të një automatiku kallashnikov, gjaku dhe sirenat e policisë që mbritën me shpejtësi në vendngjarje, krijuan mbrëm një gjendje ankthi dhe tmerri për banorët e rrugës ?Bajram Curri? në kryeqytet.

Siç edhe shihet në këto pamje të filmuara nga Tv Klan mbrëm në vendin e ngjarjes, trupi i pajetë i drejtuesit të automjetit ka qëndruar aty për afro një orë derisa ekspertët kriminalist të komisariatit nr.2 të policisë së Tiranës kryen veprimet e para hetimore. Megjithëse autorët dhe pistat e krimit ende nuk janë deklaruar zyrtarisht, dyshimet e para janë fokusuar mbi implikim e mundshëm në trafiqe ilegale si dhe në disa vrasje të fundit në Tiranë.

Ekzekutimi mbrëm i 31-vjeçarit Suli dhe 28-vjeçarit Rokaj është realizuar sipas një plani të llogaritur deri në detaje. Hetuesit thanë se ekzekutorët udhëtonin në dy makina. Njëra prej tyre i ka bllokuar rrugën makinës me të cilën udhëtonin viktimat. Ndërsa nga dritarja e makinës tjetër që lëvizste paralelisht me objektivin është qëlluar me breshëri der në zbrazjen e karikatorit të kallashnikovit.

Krimi i përgjakshëm i ndodhur në zemër të Tiranës ka pasuar një serial të përgjakshëm ngjarjesh të këtij kalibri. Numri i të vrarëve këtë vit në kryeqytet I ka kaluar 30 persona. Ndërkohë që deklarohet se është arrestuar vetëm njëri prej të akuzuarve si vrasës. Burimet policore thanë sot për Tv Klan se njëri prej shkaqeve të ngjarjeve të rënda lidhe dhe me mungesën e drejtorit të policisë së Tiranës. Një vend I mbetur vacant për prefekturën me mbi një million banorë, që nga shkarkimi i kolonelit Mit?hat Havari dy muaj më parë./tvklan.al

Gazetare ? Holta Zhiti