Shahini: Kur nis procesi mesimor

  • 5 years ago
Mësimi në Qarkun e Durrësit do të pezullohet deri më datë 9 Dhjetor. Ky është vendimi që ka marrë Këshilli i Ministrave sot dhe u bë publik nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një konferencë për mediat.

Gjithashtu mësimi do të pezullohet edhe për Qarkun e Tiranës dhe Qarkun e Lezhës deri më datë 5 Dhjetor. Por ministrja theksoi se data për rifillimin e mësimit mund të shtyhet në këto dy qarqe nëse nuk sigurohen që të gjitha shkollat.

Ndërkohë në pjesën tjetër të vendit mësimi do të vijojë normalisht nga e hëna.

?Marrë parasysh gjendjen infrastrukturore të shkollave, gjendjen e banimit të familjeve që kanë humbur shtëpitë si dhe nevojat që kanë shtëpitë për meremetimet e nevojshme sot me propozimin tim Këshilli i Ministrave mori këtë vendim. Në Qarkun Durrës, Bashkitë Krujë, Durrës dhe Shijak mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 Dhjetor. Në Qarqet Tiranë që përfshin Bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë, Qarkun Lezhë që përfshin Bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 Dhjetor. Ruajmë mundësinë që ta shtyjmë edhe për disa ditë mësimin nëse nuk sigurohemi që të gjitha shkollat janë në gjendje të sigurtë infrastrukturore. Në 9 qarqet e tjera mësimi rifillon normalisht. Dua të nënvizoj edhe dy shkolla që janë dëmtuar në Elbasan. Shkolla Tregan në Bashkinë Elbasan dhe Funar në Bashkinë Librazhd kanë një numër të vogël nxënësish dhe kemi siguruar gjithsesi transportimin e tyre tek shkollat më të afërta?, tha Shahini.

Vendimi vlen edhe për shkollat private, ndërsa për kopshtet dhe çerdhet duke qenë se janë nën administrimin e bashkive do të ketë një fleksibilitet.

?Për qarqet Lezhë dhe Tiranë kopshtet dhe çerdhet të cilat janë certifikuar si të sigurta edhe mund të rihapen. Komunikimi për çerdhet që mund të rihapen do bëhen vetë nga bashkitë nga drejtuesit e të gjithë këtyre institucioneve. Për Durrësin nuk nis?, tha Shahini.

Ministrja e Arsimit deklaroi se nga dita e nesërme pret mësuesit në punë, por me një fleksibilitet të atyre nga Durrësi duke qenë se është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. /tvklan.al