Krimet e Rënda dënojnë Emiljano Shullazin me 14 vite burg, 55 vite për të gjithë bandën

  • 6 years ago
TIRANE - Merr fund saga "Shullazi" në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas dy vitesh dhe rreth 50 seancash, kjo gjykatë ka dhënë sot vendimet për 5 anëtarët e grupit kriminal. Trupa gjykuese drejtuar nga gjyqtari Fran Prendi dënoi me 14 vite burg "kokën" e bandës Emiljano Shullazi për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e presionit dhe kanosjes ndaj dy rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule dhe atë të shkatërrimit të pronës, për vendosje tritoli biznesmenit Jani Zaka në Tiranë dhe Adriatik Kuçuku në Lushnje.

Për katër anëtarët e tjerë të grupit, Gjykata ka dhënë 12 vite burg për Gilmando Danin, Indrit Qyqja 10 vite, Indrit Zela 10 vite dhe Blerim Shullazi 9 vite burg. Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht.

Në total, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 55 vite burg për anëtarët e bandës, ndërsa prokuroria kërkoi 64 vite për 5 të pandehurit, më konkretisht për Emiljano Shullazin 17 vite burg. 9 vite më pak ka dhënë gjykata në raport me pretencën e prokurorisë në 2 tetor të këtij viti. Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në gjyq, ndërsa përfaqësoheshin nga avokatët mbrojtës.

Recommended