Report Tv-Krimet e Rënda dënojnë Emiljano Shullazin

  • 6 years ago
TIRANE - Merr fund saga "Shullazi" në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas dy vitesh dhe rreth 50 seancash, kjo gjykatë ka dhënë sot vendimet për 5 anëtarët e grupit kriminal. Trupa gjykuese drejtuar nga gjyqtari Fran Prendi dënoi me 14 vite burg "kokën" e bandës Emiljano Shullazi për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e presionit dhe kanosjes ndaj dy rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule dhe atë të shkatërrimit të pronës, për vendosje tritoli biznesmenit Jani Zaka në Tiranë dhe Adriatik Kuçuku në Lushnje.

Për katër anëtarët e tjerë të grupit, Gjykata ka dhënë 12 vite burg për Gilmando Danin, Indrit Qyqja 10 vite, Indrit Zela 10 vite dhe Blerim Shullazi 9 vite burg. Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht.

Në total, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 55 vite burg për anëtarët e bandës, ndërsa prokuroria kërkoi 64 vite për 5 të pandehurit, më konkretisht për Emiljano Shullazin 17 vite burg. 9 vite më pak ka dhënë gjykata në raport me pretencën e prokurorisë në 2 tetor të këtij viti. Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në gjyq, ndërsa përfaqësoheshin nga avokatët mbrojtës.

Leximi i vendimit nga gjyqtari i Krimeve të Rënda, Fran Prendi u ndoq nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA në Tiranë të cilët ndodheshin të pranishëm në seancë. Prokurorë të çështjes ishin Besnik Muçi, Anton Martini, Gent Osmani dhe Donika Prela, ndërsa në seancë morën pjesë vetëm Osmani dhe Martini.

Recommended