Report TV - Prokurori i përkohshëm, dy kandidatë nuk plotësojnë kriteret

  • 6 years ago
Ka përfunduar seanca dëgjimore te komisioni i Ligjeve për shtatë kandidatët për Kryeprokuror të përkohshëm të Republikës. Në këtë mbledhje munguan deputetët e opozitës. Për këtë shkak, që në nisje të seancës, kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja si dhe anëtarja socialiste, Vasilika Hysi, kërkuan 15 minuta pushim, në mënyrë që komisioni të komunikojë me përfaqësuesit e opozitës. Manja lexoi emrat e kandidatëve në garën për Kryeprokurr si Ferdinand Elezi, Arta Marku, Besnik Muçi, Arqile Koça, Granit Shahu, Ermira Tafani dhe Artur Selmani. Edhe pse komisionit iu lanë 15 minuta për të kontaktuar deputetët e opozitës, asnjë prej tyre nuk është paraqitur në komision.

Kësisoj, seanca dëgjimore e komisionit të ligjeve ka rinisur pa praninë e përfaqësuesve të PD dhe LSI. I pari që dëshmoi përpara ligjvënësve të maxhorancës ishte prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme, Arqile Koça. Edhe pse shpalosi objektivat e tij si kandidat për kryeprokuror, Koça pranoi se nuk ka mbaruar shkollën e magjistraturës dhe as gëzon titullin Doktor, çka me gjasa e penalizon atë në rrugën për të pasuar Adriatik Llallën. Por pavarësisht kësaj, ai tha se është më i përgatitur se një magjistrat.

Arta Marku, prokurorja e Shkodrës ishte e dyta që dëshmoi përpara deputetëve, ndërsa pas saj u ul Artur Selmani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në vijim prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. E vetmja që ka përfunduar shkollën e magjistraturës është pikërisht Prokurorja e Shkodrës, Arta Marku, e cila shihet se kandidatura potenciale për të pasuar Adriatik Llallën në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, gjatë dëshmisë ranë në sy deklaratat e Besnik Muçit, i cili duke prezantuar platformën u shpreh se ka hetuar bandën e Lushnjes, ndërsa duke komentuar punën e prokurorit në detyrë, Adriatik Llalla, tha se vendimmarrja e tij ka qenë në konflikt të hapur interesi.

Recommended