Report TV - Tahiri: Do flas pas 2 ditësh, dorëzova provë thelbësore në Prokurori, nuk kam frikë

  • 6 years ago
TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri,ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bashkë me avokatin e tij, Maks Haxhia. Tahiri është paraqitur në Prokurori me kërkesën e tij.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se Tahiri ndodhet në prokurori pasi ka siguruar dokumente të reja, që sipas burimeve provojnë se ish-ministri nuk është i përfshirë në grupin e Habilajve, që po hetohet nga drejtësia italiane.

Tahiri ka folur për gazetarët dhe ka thënë:

Unë paraqita diçka që besoj se ka rëndësi deçizive për procesin. Unë do të flas për 2-3 ditë për atë që dorëzova. Dorëzova një provë deçizive për procesin. Prisni 2-3 ditë se do të dëgjoni.

Unë nuk kam frikë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kam mbi 1 vit që dëgjoj pafundësisht, prisni ju 2 ditë. Herë tjetër flasim për median.

Saimir Tahiri, para gazetarëve
Tahiri është nën hetim nga prokuroria prej 1 viti, me akuzën se ka përdorur policinë e Shtetit për të ndihmuar kushërinjtë e tij, të arrestuar tashmë në Itali, të grupit të Habilajve. Mbi Tahirin rëndojnë akuzat e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës.

Ish-ministri i Brendshëm ka qëndruar i distancuar nga mediat që prej dorëzimit të mandatit të deputetit në maj të këtij viti, për të qenë i gatshëm për t'u përballur me akuzat e drejtësisë për trafik droge me Habilajt.

Por nga ana tjetër Tahiri nuk ka munguar në rrjetet sociale ku ka qenë mjaft aktiv duke pasqyruar kohën e lirë. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyre me tre muaj hetimet për ish-ministrin e Brendshëm.

Recommended