LSI reagon ndaj deklaratave të Ramës

  • 7 years ago
"Policia është e depolitizuar dhe e ka rreptësisht të ndaluar të marrë pjesë në aktivitete politike, gjatë dhe pas orarit të punës". Kështu u shpreh nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luam Rama në një konferencë për shtyp.

Duke iu referuar deklaratës së sotme të Kryeministrit Edi Rama, i cili nga Berati u bëri thirrje ?të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit që në momentin që lënë uniformën, pas punës, të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS-në, që të mos lejojnë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu", nënkryetari i LSI tha se kjo është një kërkesë e pa precedentë dhe absurde.

"Një qëndrim tërësisht të pa përgjegjshëm që në mënyrë absurde në humbje të logjikës, ka deklaruar sot në një takim elektoral në Berat që e fton policinë që pasi të lerë orarin e punës të mbledhe vota për PS. Ky është një rast i paprecedentë, skandaloz, sepse policia e ka të ndaluar me ligj që të merret gjatë apo pas punës me aktivitetet partiake e aq më tepër të mbledhë vota për një parti specifike".

Rama lexoi edhe dy nene, të cilat sipas tij përcaktojnë qartë që policia e ka absolutisht të ndaluar të përfshihet në aktivitete politike.

Ai kërkoi nga zv/kryeministrja, nga Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit që të distancohen menjëherë nga ky qëndrim, të cilin e konsideroi provokativ, të pa përgjegjshëm dhe në humbje të plotë të vetëkontrollit.

"Asnjë polic të mos guxojë të shkelë ligjin duke mbledhur vota për Rilindjen, se nuk do të ketë rilindas që mund ta shpëtojë nga ndëshkimi i ligjit. Të mos ketë punonjës me apo uniformë të guxojë të prekë të vjedhë apo të trafikojë votën e qytetarëve shqiptarë", theksoi Rama në deklaratën e tij.

Ai i kërkoi gjithashtu ndërkombëtarëve që të mbajnë një qëndrim publik për këtë çështje./tvklan.al

Recommended