Takimi Rama – Basha, zbardhet detaji që po mban peng tryezën e bisedimeve

  • 7 years ago
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po mbajnë hapur prej disa ditësh një linjë komunikimi në përpjekjen për t?u ulur në një tryezë dialogu, si hapi i parë për zgjidhjen e situatës politike.

Tryeza e bisedime po zë vend kryesor në deklaratat e ditëve të fundit dy liderëve, por ajo çfarë i mban ende larg tryezës janë modalitetet e takimit.

Televizioni Klan mësoi nga burime pranë qeverisë se Kryeministri Edi Rama, ashtu siç është shprehur publikisht, ka lënë të hapur mundësinë për të diskutuar për të gjitha çështjet dhe kërkesat e opozitës, përfshirë qeverinë teknike apo shtyrjen e zgjedhjeve, ndonëse i sheh se të parealizueshme dhe jashtë kornizës kushtetues.

Burime pranë qeverise sqaruan se i është lënë në dorë të stafit të kryetarit të Partisë Demokratike ora, data, vendi dhe formati i takimit, kokë me kokë ose me aleatë të caktuar, apo të gjithë bashkë.

Por pika në të cilën nuk bie dakord Basha është vetëm një dhe nuk ka të bëjë me ato të parashtruara nga Kryeministri.

Televizioni Klan mësoi nga zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike se Basha këmbëngul për të shkuar në një takim të përgatitur paraprakisht.

Kjo, sipas tyre, kërkohet për të evituar një takim që nuk do të prodhojë asgjë të re, ashtu siç ndodhi me tryezën e Reformës në Drejtësi.

Nga stafi i Kryeministrit sqarohet se tryeza do të jetë pikërisht për të parë pikat në të cilat mund të bihen dakord dhe asgjë nuk mund të pranohet paraprakisht.

Tv Klan