Korçë, dyqani i "Rakos" mbushet me mbeturina - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kjo është një nga ndërtesat më të vjetra simbol të pazarit të Korçës, e projektuar nga një grup arkitektësh austriakë që lanë gjurmët e tyre në disa prej godinave kryesore të këtij pazari fillimit të shekullit të kaluar. Ndërtesa disa katëshe i përkiste tregtarit të njohur të asaj kohe, Irakli Qirjako, i cili mbi gërmadhat e disa zejeve të vogla ndërtoi këtë godinë komplekse tregtare, shumë moderne për kohën edhe në Ballkan. Ajo mori emrin e pronarit, Rako dhe ishte qendër e rëndësishme tregtare në qytet deri kur u shtetëzua. Pas ndryshimeve demokratike ajo iu kalua pasardhësve të Rakos ndërsa sot ka përfunduar në këtë gjendje. Godinës i ka mbetur vetëm fasada ndërsa nga brenda ajo thuajse është rrënuar. Vladimir Dine është inxhinier ndërtimi dhe krahas vlerave arkitekturore të kësaj godine bën apel për ta shpëtuar atë. Godina disa katëshe jo vetëm që po shkatërrohet dita ditës, por ajo po kthehet në një vend të grumbullimit të mbetjeve nga njësitë tregtare dhe banorët e zonës. Mapoja e Rakos, si edhe godinat e tjera të pazarit të Korçës janë monumente kulture të kategorisë së parë dhe rivitalizimi i tyre është parashikuar të kryhet nga bashkia e qytetit në fazën e dytë të punimeve për rikonstruksionin e pazarit. Pasardhësit e Irakli Qirjakos nuk janë në qytetin e Korçës dhe duket janë të pamundur për të rijetësuar këtë godinë, por deri në momentin kur fondet të jenë gati për ristrukturimin e kësaj godine, qytetarët e Korçës mund t'ja kursejnë rrënimin e mëtejshëm të saj dhe të mos e shndërrojnë atë në një mjedis të depozitimit të mbetjeve.

Recommended