Policia e shtetit, rregjistër elektronik për regjistrimin e armëve

  • 9 years ago
TIRANË- Policia e Shtetit tashmë do të ketë në dispozicion një regjistër kombëtar të armëve, të dhëna për palë të treta, apo të sekuestruara në ngjarje të ndryshme nga strukturat e antikrimit. Kjo për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako nënkupton një teknologji bashkëkohore dhe një forcim të rregjistrit kombëtarë. Krijimi i këtij regjistri në Policinë e Shtetit pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në hetimin apo në zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme kriminale në vend. Ky sistem pritet t?i vijë në ndihmë edhe sistemit të krahasimit të gjurmëve të armëve i cili administrohet tashmë nga Instituti i Policisë Shkencore.

"Regjistri elektronik i armëve është krijuar për të mbuluar gjithë territorin e vendit dhe gjithë pikat e kalimit kufitar, duke regjistruar çdo armë që hyn apo del në kufirin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye ne e konsiderojmë vendosjen e këtij regjistri si një hap mjaft të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, pasi është një ndihmesë e çmuar për ekspertët e armëve të zjarrit dhe forcimin e shërbimeve zbatuese të ligjit në vendin tonë. Regjistri elektronik për armët është një domosdoshmëri për unifikimin e procedurave sipas direktivave te Bashkimit Europian per kontrollin, gjurmimin, regjistrimin, transportin, transferimin e armeve. Ky aplikacion do të regjistrojë çdo armë që do të jetë e regjistruar nga strukturat policore, por edhe çdo arme private në pronësi të subjekteve juridike e fizike. Ligji i ri për armët në vendin tone i miratuar në 2014 e ka bërë të domosdoshëm kontrollin e armëve në formate elektronike"-tha Çako.

Në këtë kuadër, PNUD-i dhe BE-ja, dhuruan pajisje kompjuterike me vlerë 182 mijë euro, pas një bashkëpunimi të OKB-së, me PNUD-in dhe ministrinë së Brendshme. Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Çako falenderoi përfaqësuesit e OKB-së, PNUDIT dhe BE-së, dhe theksoi se policia e shtetit do të vazhdoi të ketë një bashëkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë.

"Ky regjistër do të përmirësojë kapacitet e Policisë së Shtetit në regjistrimin dhe mbajtjen e të dhënave në lidhje me armët dhe poseduesit e tyre, por gjithashtu edhe duke gjeneruar informacione tepër të vlefshme në një kohe shumë të shkurtër.Pa dyshim që ky projekt është një shembull i një bashkëpunimi të frytshëm me partnerët tanë ndërkombëtar, të cilët nëpërmjet mbështetjes e ekspertizës së ofruar kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e performancës së Policisë së Shtetit.?

Ndërkohë që përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së Rudolph shpreson që pajisjet të japin atë që pritet

"Ne mezi presim qe ky proces të sjellë frytet e tij në përmirësimin e aftësive dhe mundësive të autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit të kontrollojnë në mënyrë efektive dhe efikase posedimin e armëve të vogla dhe të lehta në mbarë vendin",- tha Përfaqësuesi i Delegacionit të BE, z.Jan Rudolph gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve.

Recommended