A1 Report - Perplasje tragjike e 4 makinave ne Fier, humbin jeten 3 persona

  • 9 years ago
FIER -- Moti keq dhe lagështira ka përgjakur rrugët këtë të mërkurë duke shënuar 3 viktima dhe 10 të plagosur në 4 aksidente të ndodhura në Fier, Tiranë dhe Rinas.

Përplasja e katër automjeteve në aksin Fier-Tepelenë ka rezultuar fatale për tre persona të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Aksidenti tragjik është shënuar në vendin e quajtur Kafaraj, ku janë përfshirë një furgon mallrash, një mjet tip Renault dhe një benz Mercedez. Furgoni i mallrave me targa AA 881 GJ, i cili shkonte drejt Fierit dyshohet se është bërë shkak për përplasjen e automjeteve. Furgoni është përplasur fillimisht me një automjet tip Renault me targa AA 955 DX duke shkaktuar dy viktima, dhe më tej me makinën tip Benz në të cilën mbetën të plagosur 5 persona nga një familje, mes tyre një fëmijë 2 vjeç.
Pas goditjes nga furgoni, Renoja është përplasur me një kamion me targa TR 06 99 F, i cili qëndronte i parkuar në anë të rrugës, pasi shoferi kishte ndaluar për të mbushur ujë në një kanal vaditës.
Pasi është përfshirë në përplasjen e dytë me automjetin Benz, furgoni është rrotulluar 3-4 herë duke përfunduar në anë të rrugës. Drejtuesi i furgonit ka dalë ka makina dhe ka përfunduar në kanal duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Trupat e dy prej viktimave që ndodheshin në automjetin tip Renault, janë nxjerrë me vështirësi, për shkak se makina ishte shkatërruar thuajse plotësisht nga përplasja. Madje është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve dhe prerja e mjetit për të nxjerrë trupat e pajetë të dy personave.

Recommended