Tragjike në Lezhë, asfiksohen duke pastruar pusin e ujit, humbin jetën dajë dhe nip

  • 6 years ago
LEZHË- Dy persona kanë humbur jetën teksa po punonin për pastrimin e një pusi në Torovicë të Lezhës. Report Tv mëson se bëhet fjalë për dajën dhe nipin, 35 dhe 21 vjeç. Martin Gjonaj dhe Marjan Ndoci ishin duke punuar, por janë asfiksuar për shkak të mungesës së oksigjenit në brendësi të pusit. Policia sqaron se 2 viktimat kishin mbetur në fund të pusit. Banorët janë shprehur se zjarrfikësja është vonuar rreth 1 orë për të shkuar në vendngjarje, ndërkohë që banorët, pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur dot që t'i shpëtojnë.

Njoftimi i policisë.

Lezhë

Informacion paraprak

Sot, rreth orës 16:50, dyshohet se shtetasi M.Gj. rreth 35 vjeç, banues në Pukë dhe shtetasi M.N. rreth 21 vjeç, banues në Torovicë, kanë qenë duke pastruar një pus uji në fshatin Torovicë të Lezhës, dhe kanë mbetur në fund të tij. Menjëherë në vendngjarje janë nisur dhe kanë mbërritur shërbimi policor, shërbimi zjarrfikës dhe ambulanca, ku u bë e mundur nxjerrja e trupave të tyre, pa shenja jete. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, vazhdojnë hetimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Recommended