Bllokohet qarkullimi në bulevardin "Zogu i Parë", zhvendosen shtyllat

  • 9 years ago
TIRANË - Bashkia e Tiranës nisi zhvendosjen e shtyllave të tensionit të lartë, të cilat prej 15 vitesh kanë qenë të vendosura në trotuarin e mesit të bulevardit "Zogu i Parë". Rreth orës 19:00, ka nisur puna për heqjen e tyre, duke nisur nga shtylla e parë pranë Muzeut Kombëtar, për të vazhduar më pas, deri në orën 5 të mëngjesit, tek e fundit që gjendet pranë stacionit të trenit. Kohë kjo, kur bulevardi do të qëndrojë i bllokuar për lëvizjen e automjeteve.

Këto punime janë pjesë e planit për zgjatimin e bulevardit "Zogu i Parë", i cili do ta lidhë kryeqytetin me zonën e Paskuqanit. Prej disa ditësh, linja e tensionit të lartë, është futur nën tokë, nëpërmjet rrugës së "Barrikadave", deri në nënstacionit elektrik pas 15-katëshit.

Nisjen e punimeve e inspektoi dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i cili deklaroi, se ky është një premtim i mbajtur për qytetarët e Tiranës.

"Jemi të gjithë dëshmitarë dhe ndajmë gëzimin e çmontimit të linjës së tensionit të lartë, dhe kjo linjë do bëhet nëntokësore. Po kështu po hiqen dhe shtyllat. Projekti u hartua dhe realizua me profesionalizëm. Është një ditë e vëçantë në historinë e qytetit tonë. Mbajnë premtimin që u kemi dhënë banorëve të bulevardit "Zogu i Parë", dhe është fillim i mbajtjes së një tjetër premtimi, realizimit të bulevardit të madh, i cili ka nisur punimet javën e kaluar, dhe do të vijojë deri vitin e gjysmë", u shpreh Basha. Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës mori një ekip të specializuar zviceran, si dhe bashkëpunoi me OST-në. Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, ndërsa është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.

Por, zgjatimi i bulevardit nga pjesa e Stacionit të Trenit e në vazhdim, ka hasur në kundërshtimin dhe protestat e banorëve të zonës në lidhje me shumat e caktuara nga qeveria për shpronësimin. I pyetur nga televizioni "A1 Report", për këtë çështje, kryebashkiaku Basha u shpreh se nuk ishte ky moment i duhur për të folur për këtë çështje.

Recommended