Incident në Shkup, sulmohen dy të rinj shqiptarë

  • 9 years ago
Incidentet mes të rinjve nuk kanë të ndalur. Mbrëmë rreth orës 20 e 30 në parkun e qytetit të Shkupit, në afërsi të stadiumit "Filipi i dytë" dy të rinj shqiptar janë sulmuar nga një grup huliganësh të cilët ishin nisur për të ndjekur lojën e hendbollit mes 'Metallurg'-ut dhe 'Vardar pro' në palestrën e Kalasë. Incidenti është regjistruar në polici diku pas orës 21 nga 17 vjeçari A.S. Sipas deklaratës së tij në polici, ai është sulmuar nga një grup i madh personash të cilët kanë goditur atë në kokë dhe trup. Rastin e ka konfirmuar edhe vet ministrja e brendshme Gordana Jankullovska duke mos saktësuar detaje rreth të njëjtit pasi po punohet në zbardhjen e plotë të incidentit.

"Gjatë ditës së djeshme kishte paraqitje për prishjen e rendit dhe qetësisë publike dhe po punojmë në zbardhjen e rastit. Tani nuk mund t'ju them saktë cila është mosha e të dëmtuarve mirëpo do t'ju sigurojmë informacione shtesë", deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.

Jankullovka tha se nevojitet angazhim i gjithë shoqërisë për të parandaluar incidentet mes të rinjve ndërsa i porositi të gjithë personat që shkaktojnë incidentet e këtilla se MPB nuk do të ndaloj por do të vazhdoj edhe më fuqishëm në drejtim të eliminimit të dhunës me të rinjve. Përveç masave preventive, MPB do të kërkoj edhe sanksione më të ashpra për shkelësit e rendit dhe qetësisë.

"Kemi pasur raste të dhunës edhe në ndeshjet sportive e cila po bëhet gjithnjë e më karakteristike dhe për të cilën ne si ministri e brendshme jo vetëm që apelojmë por edhe marrim masa konkrete me ngritjen e padive adekuate por edhe me iniciativa për ndryshim të rregullativës në kuptimin e sanksioneve më të ashpra për këtë lloj shkelje. Ju si përfaqësues të mediave jeni dëshmitar se ka pasur edhe reagime nga grupet e tifozëve dhe ata që në njëfarë mënyre e kanë gjetur veten si përgjegjës por unë do i porosis se ne nuk do të ndalojmë me këto masa, do të vazhdojmë edhe me zbardhjen e incidenteve por edhe me aktivitete preventive në drejtim të uljes të dhunës të cilitdo lloj", tha Gordana Jankullovska ministre e brendshme.

Incidentet mes të rinjve ishin me intensitet më lartë në fillim të këtij viti dhe para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të marsit. Për të gjitha incidentet e regjistruara deri më tani MPB ka ngritur padi penale për disa pjesëmarrës por ende asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me epilog gjyqësor. Gjyltene Rexhallari

Recommended