Kosova dhe Maqedonia nuk kanë çështje të hapura

  • 9 years ago
Maqedonia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura. Kosova në Maqedoninë sheh në një partner të rëndësishëm politik, strategjik e ekonomik. Këto komente i bëri shefi i diplomacisë së Kosovës Enver Hoxhaj, pas takimit që kishte në Shkup me homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Nikolla Poposki. Hoxhaj kërkoi nga Poposki mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. "Maqedonia për Kosovën është një partner i rëndësishëm politik dhe strategjik. Kosova do të fillojë të ndërtojë nga viti i ardhshëm autostradën që do ta lidh Prishtinën me Shkupin përmes Hanit të Elezit dhe ne biseduam se si në një të ardhme të afërt qytetarët e vendeve tona të mund të lëvizin lirshëm vetëm me karta të identitetit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Në këtë drejtim ne biseduam se si ta kemi mbështetjen e Maqedonisë, sa i takon procesit të liberalizimit të vizave që ka filluar në Kosovë dhe sa i takon hartimit të studimit të fizibilitetit për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit", tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës. Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Poposki tha se me përvojat e saj Maqedonia do ta ndihmojë Kosovën për liberalizimin e vizave. Ndërsa përmendi thellimin e bashkëpunimit në projekte energjetike dhe infrastrukturore "E përmendëm bashkëpunimin rajonal dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në gjitha organizatat dhe iniciativat rajonale pasi vlerësuam se ajo do të jetë një faktor plotësues për stimulimin e klimës së stabilitetit, prosperitetit, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe vlerësojmë se ajo është mënyra më e mirë që ta vërtetojmë përkushtimin tonë për integrimet evropiane. Jemi të hapur dhe në dispozicion të miqve tanë nga Kosovë për përvojat praktike të integrimeve evropiane dhe vlerësojmë se mund të ndihmojmë në lehtësimin e procesit të liberalizimit të vizave", tha Nikolla Poposki, ministër i jashtëm i Maqedonisë. I pyetur nga ALSAT M se a kanë biseduar me Poposkin për hapjen e kalimit kufitar Bellanoc-Stançiq, dhe kur pritet që i njëjti të hapet, Hoxhaj nuk dha ndonjë përgjigje të saktë. Megjithatë ai tha se një ditë do të hapet, por pa treguar se kur. "Ka qenë temë e bisedës tonë, ne kemi biseduar edhe në Prishtinë por biseduam edhe sot në Shkup rreth mundësisë së hapjes së kalimit kufitar Stançiç-Bellanoc. Të dy Qeveritë tona kanë dhënë pëlqimin për hapjen e një vendkalimi të tillë dhe besojmë se në një periudhë të caktuar kohore edhe kjo do të ndodhë", tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës. Shefi i diplomacisë së Kosovës Enver Hoxhaj, sot do të takojë edhe presidentin e vendit Gjorge Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zv.kryeministrin Musa Xhaferi. Shkëlzen Aqifi

Recommended