Top News - Gjyqtarët e zgjedhjeve/ Mbrojtja, në shkelje të Kushtetutës

  • 3 years ago
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për fillimin e një iniciative ligjore që të rregullojë nenin 149 të Kodit Zgjedhor pasi në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, paragrafi ?a? dhe ?b? i këtij neni bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas nenit 149, të Kodit Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar së fundmi pas dakordësisë së partive politike, parashikohet se gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t?i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor si dhe të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për tre arsye që kanë të bëjnë me shkaqe disiplinore, organizimin gjyqësor, ose ngritje në detyrë.

Këto shkaqe janë vendosur nga ligjvënësi në funksion të garantimit të mbrojtjes së posaçme që duhet të kenë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Megjithatë, këto parashikime nuk mund të vijnë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe nuk duhet të cënojnë garancitë për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur por edhe llogaridhënës, të vendosura përmes ndryshimeve kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi.

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor kanë parashikuar që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t?i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor delegohen në këtë detyrë për një mandat 4 vjeçar.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Garantimi i imunitetit të gjyqtarëve anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nga procedimi disiplinor për periudhën që ato shërbejnë si anëtarë të këtij Kolegji, i vendos këta gjyqtarë në një pozitë të privilegjuar në raport me gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor. Sidoqoftë, instrumentet që duhet të garantojnë këtë lloj mbrojtje duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të bien ndesh me frymën e ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.

Nisur nga nevoja e garantimit të një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e këtij Kolegji, për të garantuar një vendimarrje e pavarur dhe e paanshme, mund të parashikohet përjashtimisht, një kufizim proporcional dhe i përkohshëm i së drejtës për të hetuar ose për të filluar procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve për shkaqe që lidhen vetëm me ushtrimin e funksionit si anëtar të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.


Top News është televizion informativ, i hapur në shkurt të vitit 2007. I konceptuar si format news, prioritet i saj është infor...