Top News - Paraja jashtë bankave/ Në vlerë rekord gjatë pandemisë

  • 4 years ago
Kriza e epidemisë së Covid-19 ka nxitur një rritje të qarkullimit të parasë jashtë bankave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sasia e parasë jashtë sistemit bankar arriti vlerën rekord 2.6 miliardë euro.

Krahasuar me një vit më parë, paraja jashtë bankave është rritur ndjeshëm. Pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur pas muajit mars, kur Shqipëria u prek nga epidemia e Covid-19.

Në muajt e fundit, kjo situatë mund të jetë nxitur nga pasiguria e krijuar prej krizës së Covid-19, që i ka shtyrë individët të mbajnë më shumë para jashtë sistemit. Në muajt e verës, shtimi i parasë që qarkullon jashtë bankave është gjithashtu një tendencë sezonale, e lidhur me tërheqjen e parave për shpenzimet e pushimeve.

Këtë vit, shumica e shqiptarëve i kanë kaluar pushimet në Shqipëri për shkak të kufizimeve të lëvizjes, çka mund të ketë sjellë tërheqje më të mëdha të parasë në monedhë vendase nga sistemi bankar.

Një faktor tjetër mund të ketë qenë edhe shtyrja e kësteve të kredisë, që ka rritur likuiditetin e lirë për bizneset e familjes. Pjesërisht, kjo mund të ketë ndikuar në flukse në rënie hyrëse të parasë brenda sistemit bankar.

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë ndryshoi formën e ankandeve të marrëveshjeve të riblerjes, për të garantuar furnizim të pakufizuar me likuiditet për bankat tregtare.
Rritja e parasë jashtë bankave pranë niveleve të një periudhe kur ekonomia kishte një shkallë shumë më të ulët formalizimi është tregues tejet domethënës dhe që nuk gjen shpjegim vetëm me epideminë apo sezonin veror. Një faktor logjik mund të jenë normat e ulëta të interesit. Interesat e ulëta kanë bërë që rritja e depozitave bankare të jetë më e ulët në raport me rritjen e ofertës monetare. Ekspertë nga tregu financiar shprehen se normat e ulëta të interesit mund të kenë nxitur huadhënien informale, në kërkim të interesave më të larta.

Por, as interesat e ulëta nuk mund të justifikojnë plotësisht rritjen e fortë të parasë jashtë bankave, për një ekonomi që presupozohet që duhet të ulë gradualisht nivelin e informalitetit. Rritja e raportit të parasë jashtë bankave dëshmon se jashtë kanaleve formale po qarkullojnë më shumë para, duke krijuar hapësira për një mbizotërim të mëtejshëm të ekonomisë cash, e cila favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme. Pandemia e Covid-19 dhe faktorët e lidhur me të po theksojnë më shumë rezultatet e dobëta në drejtim të formalizimit të ekonomisë.


Top News është televizion informativ, i hapur në shkurt të vitit 2007. I konceptuar si format news, prioritet i saj është informimi i publikut përmes lajmit të fundit. Lidhje live për politikën, aktualitetin, kronikën, ekonominë, rajonin, botën, sportin, teknologjinë dhe show biz-in. ? Informohu i pari? , slogani për 24 orë lajme . Sjellim ndryshe realitetin mediatik në Shqipëri, ofrojmë një burim informacioni të saktë, të shpejtë, të besueshëm dhe të thelluar.

Për më shumë vizitoni: http://top-channel.tv/

Subscribe to "Top Cha...