Fluks makinash në fundjavë/Policia pezullon 66 patenta, arreston 19 shoferë dhe gjobit 1534 të tjerë

  • 3 years ago
Pushuesit që lëvizin në fundjavë, janë kthyer nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës. Policia njofton se në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks, por të rrjedhshëm dhe deri tani nuk ka pengesa apo bllokim të lëvizjes.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 66 leje drejtimi, janë arrestuar 19 drejtues mjetesh dhe janë vendosur 1543 masa administrative.

Si rezultat i kontrolleve me radar janë konstatuar dhe iu është pezulluar leja e drejtimit 39 drejtuesve të mjeteve që drejtonin mjetet me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 40 deri në 80 km/h mbi normën e lejuar.

Nga kontrollet me drager në të gjithë vendin janë pezulluar 27 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Janë arrestuar në kushtet e flagrancës, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 10 drejtues mjetesh, ndërsa 9 të tjerë janë arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë vendosur 324 masa administrative për parakalime të gabuara dhe 19 për mosrespektim të sinjalistikës rrugore dhe manovra të rrezikshme në rrugë dhe 7 masa maksimale me vlerë 30 mijë lekë të reja, pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj.

156 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 184 për përdorim të celularit, 79 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 456 masa për parkime të gabuara, 18 masa për shkelje të semaforit, 99 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve dhe 211 për shkelje të tjera të kodit rrugor.

Janë bllokuar 11 automjete, pasi rezultoi se drejtuesit e tyre kishin të pashlyera më shumë se 5 masa administrative.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos shkelin semaforin, të mos përdroin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit si dhe  kaskën mbrojtëse për motomjetet

Recommended