I humbur prej dy ditësh, 14-vjeçari gjendet i mbytur në liqenin e Farkës, shoku nuk tregoi ngjarjen

  • 4 years ago
Gazetar: Antonio Çakshiri /Emisioni 112
TIRANË - Një djalë 14-vjeçar i komunitetit rom është gjetur i mbytur mëngjesin e kësaj të shtune në Liqenin e Farkës.

14-vjeçari ishte zhdukur prej paradites së të enjte ndërsa familjarët kishin bërë denoncim në polici.
Kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë zonës ku banon e kanë filmuar teksa ka qenë me një shok moshatar.

Vetëm mbrëmjen e djeshme shoku moshatar ka treguar se 14-vjeçari ishte mbytur në liqenin e Farkës ndërsa ai ishte trembur dhe nuk kishte treguar kur ndodhi ngjarja.

Emisioni 112 i realizuar nga gazetari Report TV Antonio Çakshiri, ka qenë me patrullat e policisë prej mbrëmjes së djeshme kur edhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të miturit nga polumbarët e RENEA-s.

Pamjet ekskluzive janë të momenteve teksa polumbari I RENEA-s po kërkon në liqenin e Farkës për trupin e djalit ndërsa shoku moshatar tregon vendin ku e ka parë për herë të fundit.
Ai tregon se u mundua ta ndihmonte por nuk ka mundur pasi nuk dinte not.

Kërkimet kanë nisur nga ora 20:00 deri në 21:30 të së premtes por për shkak të errësirës nuk është bërë e mundur gjetja e trupit duke bërë që operacioni të shtyhej për mëngjesin e sotëm.
Sot rreth orës 06:20 në momentet kur familjarët janë afruar pranë vendit ku 14-vjeçari ishte parë për herë të fundit kanë gjetur trupin duke pluskuar mbi ujë ndërsa në pak minuta kanë mbërritur edhe ekspertët e policisë.

Hetimet për këtë ngjarje po vijojnë.

Recommended