Bllokohet anija me 7 mije persona ne brigjet italiane

  • 4 years ago
Dyshimet si bartës të koronavirusit për dy turistë kinezë kanë bërë që autoritetet italiane të bllokojnë daljen e 6 mijë turistëve dhe 1 mijë pjesëtarëve të bordit që udhëtojnë me kryqëzorin turistik Costa Smeralda.

Anija e madhe është ankoruar në portin e Civitavecchia, një qytezë 56 kilometra në veri të Romës. Një 54-vjeçare nga Makau njoftoi pjesëtarët e bordit të anijes për temperaturë të lartë gjatë natës së të mërkurës.

Autoritetet e dërguan atë dhe bashkëshortin në spitalet e Romës për ekzaminime të hollësishme, teksa deri në daljen e përgjigjeve asnjë nga turistët nuk do të lejohet të dalë nga kjo anije.

E teksa ekipe shkencëtarësh në të gjithë globin janë në luftë me kohën për të gjetur ilaçin, koronavirusi i rrezikshëm vijon të përhapet me ritme të shpejta. Numri i të vdekurve në Kinë ka arritur në 170, ndërsa rreth 8 mijë është numri i të prekurve.

Autoritetet kineze konfirmuan se tashmë koronavirusi është përhapur në çdo cep të vendit. Në Tibet, rajoni i fundit që kishte mbetur jashtë hartës së përhapjes, u konfirmua edhe rasti i parë i personave të prekur nga koronavirusi.

Në total janë 16 vendet e botës me raste të prekurish, teksa në Gjermani e Japoni janë shënuar raste të përhapjes së sëmundjes nga kontakti me persona të ardhur nga Kina dhe jo për shkak të udhëtimeve në Vuhan, ku është vatra e virusit.

Tv Klan

Recommended