Polonia rrezikon daljen nga BE

  • 4 years ago
Polonia rrezikon daljen nga Bashkimi Europian. Por në dallim nga Britania e Madhe ku vendimi u mor me referendum popullor, Poloninë rrezikojnë ta përjashtojnë nga Unioni reformat në sistemin e drejtësisë, të ndërmarra nga shumica qeverisëse.

Paralajmërimi vjen përmes një opinioni të Gjykatës Supreme në Varshavë që kritikoi projektligjin e propozuar nga qeveria, që i jep të drejtë presidentit dhe shumicës parlamentare të shkarkojnë gjyqtarët që vendosin kundër reformave të qeverisë në sistemin e drejtësisë. Sipas Gjykatës Supreme polake, projektligji bie ndesh me traktatet e Bashkimit Europian dhe mund të çojë në vetëpërjashtimin nga Unioni.

Disa gjykatës thonë se këto ndryshime në sistemin gjyqësor i japin presidentit Anxhej Duda, të zgjedhë një kryetar të ri të Gjykatës Supreme para zgjedhjeve presidenciale të muajit Maj.

Prej disa muajsh, Komisioni Europian ka nisur hetimet kundër Polonisë për ndryshimet që i janë bërë Reformës në Drejtësi nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, që i japin mundësi qeverisë të ndërhyjë në sistemin gjyqësor. Hetimi mund të çojë në pezullimin e të drejtës së votës në institucionet e BE për Poloninë.

Tv Klan