Komisioneri i BE per krizat vjen ne Shqiperi

  • 5 years ago
Tërmeti tragjik i 26 Nëntorit që u mori jetën 51 qytetarëve dhe la pas shkatërrime të mëdha ka sjellë në Shqipëri, Komisionerin e BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç.

Pas takimit që zhvilloi me Kryeministrin Rama, zyrtari i lartë i BE-së pa nga afër pikën e emergjencës në Vorë, ku janë strehuar qytetarë të zonave përreth, banesat e të cilëve janë shpallur të pabanueshme nga autoritetet.

Komisionerin e BE-së për menaxhimin e krizave garantoi se shuma e dhënë nga Komisioni Europian nuk është përfundimtare.

Pas ndihmës financiare prej 15 milionë eurosh të dhënë nga Komisioni Europian, Komisioneri Lenarçiç premtoi se pas vlerësimit të dëmit, Shqipëria do të jetë sërish në vëmendjen e unionit gjatë procesit të rindërtimit të godinave.

?Ashtu siç e tha edhe Presidentja e re e Komisionit Europian që ka vënë mënjanë një shifër prej 15 mln euro për pjesën e parë të rindërtimit. Së pari që duhet të ndodhe është të bëhet vlerësimi i nevojave pas katastrofës. Komisioni Europian është në kontakt jo vetëm me OKB, por edhe BB që të përgatitet ky vlerësim për nevojat dhe më pas ne do kemi mundësi të kemi një shifër e do të vijojmë me ndihmën tonë me fazën e rindërtimit.?

Të njëjtën garanci tha se kishte marrë edhe Kryeministri Rama, i cili shtoi se ndihma nga BE-ja do të vijojë.

?Në samitin e NATO-s kam marrë nga liderët e pranishëm shprehjen e gatishmërisë për të marrë pjesë në një konferencë donatorësh, për të mbledhur fonde nga shtetet dhe jo vetëm nga BE. Presidentja e Komisionit ma ka konfirmuar se KE do të jetë koordinatori i kësaj konference që së shpejti do të dimë se ku dhe kur do të bëhet. Bëhet fjalë për një kohë të shpejtë. Unë kam kërkuar jo më larg sesa Janari. Nuk është në dorën time.?

Pas ndalesës në këtë kamp, që është nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane dhe atyre të Maltës, Komisioneri Lenarçiç pa nga afër edhe zonën e Plazhit në Durrës, e cila rezulton tepër e prekur nga tërmeti tragjik i së martës.

Tv Klan