PD njeh dekretin e Presidentit por nuk regjistrohet ne KQZ

  • 5 years ago
Ndonëse e njeh dekretin e Presidentit si të vetmi akt kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 Tetor, Partia Demokratike nuk do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nënkryetari Edi Paloka thotë se rëndësi kanë standardet, ku largimi i Kryeministrit Rama vijon të mbetet një kusht i panegociueshëm.
Për daljen nga kriza Paloka thotë se nevojitet një tryezë dialogu, ku kushti për Edi Ramën është që të ulet në bisedime si Kryetar i Partisë Socialiste.

Bastin e vënë për mosdaljen e kryebashkiakëve nga zyrat deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike Lulzim Basha e humbi, por nënkryetari i demokratëve thotë se pushteti lokal u grabit me dhunë nga Kryeministri.
Një ditë më parë kryebashkiaku i Kamzës, një ndër më të ashprit në qëndrimin e tij sa i përket lënies së zyrës tha se në vend të përplasjes e dhunës ishte i gatshëm të sakrifikohej, duke mos i çuar qytetarët në përplasje e gjakderdhje.