A do liroje zyren Voltana Ademi? Kryebashkiakja: Rezistenca ime, zbatimi i ligjit

  • 5 years ago
Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, ashtu sikurse edhe kryebashkiakët e djathtë, nuk i njohin zgjedhjet e 30 Qershorit e për rrjedhojë as të zgjedhurit e rinj të dalë nga këto zgjedhje. Në një lidhje live për emisionin "Opinion" në Tv Klan, Ademi tha se vendimi për të mos liruar zyrat nuk është politik, por zbatim i ligjit në vijueshmëri të zbatimit të dekretit të Presidentit Ilir Meta që ka anuluar zgjedhjet e 30 Qershorit.

"Çështja e lënies apo moslënies së zyrës nuk ka lidhje fare as me ndonjë kompromis, apo pasjes së një kompromisi apo jo kompromisi. Po flasim për një legjitimitet. Unë jam një e zgjedhur vendore e Bashkisë së Shkodrës, përfaqësoj njerëzit atje. Rezistenca nuk është asgjë më shumë e asgjë më pas se sa zbatueshmëria e ligjit nga ana jonë. Rezistenca ime ka qenë e thjeshtë. Në emër të përfaqësimit të qytetarëve, unë kam zbatuar ligjin. Është një reagim ligjor në zbatim të ligjit", u shpreh Ademi.

Sa i përket datës 10 Gusht kur në zyrat e Bashkive do të hyjnë kryetarët e rinj, kryebashkiakja e Shkodrës u shpreh se nuk ka një datë në Kushtetutë që përcakton mbarimin e mandatit të kryetarit aktual. Ky i fundit, sipas interpretimit të Ademit, qëndron në detyrë deri kur detyrën e merr kryebashkiaku i ri i zgjedhur nga një proces i ligjshëm votimesh.

"Në Kushtetutë dhe në asnjë ligj nuk do gjeni një datë 10 Gusht. Është manipulim. Ligji për qeverisjen vendore përcakton që mandati i kryetarit mbaron kur legjitimohet mandati i kryetarit dhe këshillit tjetër në zgjedhje të lira, demokratike dhe legjitime. Ligji nuk ka lidhje me një datë dhe nuk e përcakton këtë. Ne do ndjekim procedurë ligjore. Të gjitha veprimet e mia do të jenë institucionale", deklaroi Voltana Ademi.

Recommended