Report TV - Vendimi i Kolegjit për 30 Qershorin/ Ja si precedenti i 2017 rrëzon Metën dhe opozitën

  • 5 years ago
Kolegji Zgjedhor vendosi dje ligjërimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit duke rrëzuar dekretin e kreut të shtetit për anulimin e tyre, që u firmos në datë 10 Qershor. Por, Presidenti i Republikës ashtu si Partia Demokratike dhe LSI-ja nuk e kanë pranuar duke deklaruar se nuk e njohin me argumentin se Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë për të shqyrtuar dekretin. Sipas tyre vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë dekretin e Presidentit. Por në fakt e kundërta është e vërtetë dhe për këtë ka një precedent që sqaron të gjithë kompetencën ligjore.

Në vitin 2017 në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, teksa pas paktit Rama-Basha dy palët ranë dakord për të shtyrë zgjedhjet me një javë partia Forca Rinia ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, por ky organ u shpreh qartë se nuk ishte në juridiksionin e shqyrtimit të dekretit duke vendosur precedentin.

Para dy viteve, Gjykata Kushtetuese deklaronte se sipas rastit, (në varësi të natyrës së kërkimit apo thelbit të mosmarrëveshjes) kundërshtimi i dekretit të Presidentit mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat administrative apo në juridiksionin e Kolegjit Zgjedhor. Pra duke ardhur në situatën aktuale, dekretit i Presidentit Meta mund të dërgohej në Gjykatën Administrative ose në Kolegjin Zgjedhor.

Dhe kështu ndodhi. Dekreti i Presidentit në mënyrë indirekte u gjykua nga Kolegji Zgjedhor, pas kërkesës ankimore që depozitoi kreu i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri për t'u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 Qershorit me argumentin se Presidenti i anuloi. Kërkesa u shqyrtua dhe u rrëzua duke hedhur poshtë me 5 vota pro dekretin e Presidentit për të lënë në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit.

Pra edhe nëse do të ishte ngritur dhe funksionale Gjykata Kushtetuese dhe vendimit do t'i ishte bërë rekurs, gjykata do të ishte e detyruar që të vendoste si trupa e mëparshme që kompetencën e ka pikërisht Kolegji Zgjedhor për të vendosur. Precedenti i Kushtetueses në 2017 vlen si ligj për rastet e mëpasshme, referuar dekretit të fundit të Presidentit duke mbyllur debatin juridik.

Recommended