Report TV - Kolegji Zgjedhor nis shqyrtimin e padisë së Idajet Beqirit

  • 5 years ago
Kolegji Zgjedhor ka nisur mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së Idajet Beqirit, kryetarit të partisë së Unitetit Kombëtar, për tu çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit. Me vendimin që do të merret pritet t'i jepet fund edhe përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve. Nëse Kolegji Zgjedhor do të pranojë sot kërkesën e Idajet Beqiri për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i ligjshëm dhe për pasojë nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor. Nëse Kolegjit Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KQZ për të mos pranuar kërkesën e Idajet Beqirit, vendimi do të konfirmonte paligjshmërinë e dekretit të Metës, duke i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg.

Kolegji është vënë në lëvizje nga kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri. Avokati Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e Partisë së Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet. Beqiri e argumentoi kërkesën dërguar KQZ-së, se zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Por kërkesa u rrëzua nga KQZ-ja, me argumentin se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në këto kushte, Beqiri e dërgoi kërkesën në Kolegjin Zgjedhor.

Recommended