Anuloi 30 qershorin/ Meta takon opozitarët e vegjël, Shehi: Takim pozitiv! S'kemi datë konkrete

  • 5 years ago
Pas anulimit të dekretit për 30 qershorin, presidenti Ilir Meta është takuar me krerët e partive opozitare, aleate me Bashën, për të diskutuar një datë tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Takimi është zhvilluar në ambientet e presidencës, ku kanë qenë të pranishëm Vangjel Dule, Dashamir Shehi, Agron Duka, Nard Ndoka dhe përfaqësuesi i PR, Arian Madhi. Në përfundim të tij, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi foli në emër të partive aleatëve, teksa e cilësoi si një takim shumë konstruktiv ku u hodh një hap i vogël drejt "rrugës së drejtë". Shehi ka zbuluar se as opozita dhe presidenti as nuk kanë sjellë në tryezë një datë konkrete, duke theksuar se kjo gjë do të vendoset nëpërmjet një marrëveshje politike. Megjithatë, Shehi ka deklaruar, se nëse mazhoranca do të vijojë që të këmbëngul që zgjedhjet lokale të zhvillohen më 30 qershor, atëherë opozita do të vijojë aksionin e saj.

Në një kohë kur vendi është pa datë zgjedhjesh, vetë presidenti u shpreh gjatë deklaratës së tij ku solli argumentet për anulimin e 30 qershorit se data e re duhet të negociohet mes palëve politike, arsyetim i cili bie në kontradiktë me nismën që ai që ndërmori ditën e sotme, duke thirrur palët më vete dhe jo në një diskutim të përbashkët.

Në këtë tryezë nuk kanë qenë prezent as mazhoranca dhe as partia më e madhe opozitare, ku të dyja palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama këmbëngul që zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor, e ndërsa kryedemokrati Basha është shprehur se zgjedhjet nuk do të mbahen më as 30 qershor as 30 gusht duke qartësuar se asgjë nuk do të ndodhë nësë Rama vazhdon të jetë kryeministër.

Recommended