Policëve privatë u ndalohet të marrin pjesë në protesta në të kundërt u hiqet licenca

  • 5 years ago
Punonjësve të Shërbimit Privat të Sigurisë Publike do tu ndalohet pjesëmarrja në protesta. Në një urdhër që mban datën 21 maj 2019, shpërndarë drejtorive vendore, kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u lë porosi vartësve të tij që të " të qartësojnë titullarët e subjekteve, drejtuesit teknikë dhe punonjësit e shërbimit të SHPFS-së, se ndalohet pjesëmarrja e tyre në protestat që organizohen në vend".

Po ashtu, policët privatë, do të mbajnë përgjegjësi penale që do të mbajnë nëse në territorin nën ruatjen e tyre do të gjendet lëndë narkotike.

Në urdhrin e dhënë tre ditë më parë, subjektet e SHPSF-së kanë pasur kohë për të deklaruar deri më sot, nëse në objektet që subjekti i tij ka në ruajtje në tokat në pronësi të tij apo me qira, nuk ka të kultivuara bimë narkotike.

Në të kundërt, në kuadër të planit kombëtar të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike 2017-2018, dhe parandalimin e goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2019, shërbimi privat i sigurisë fizike, do të mbajë përgjegjësi penale per lëndët narkotike të evidentuara në territoret e ruajtura prej tyre.

"Në rast të mos zbatimit të këtyre dy urdhrave, atëherë drejtoritë vendore duhet të propozojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për heqjen licence të subjektit të Policisë Private", thuhet në urdhrin e Ardi Veliut.

Recommended