Protesta, MB: Planifikohet riperseritja e dhunes

  • 5 years ago
Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari paralajmëroi se edhe në protestën e kësaj të hëne të opozitës do të ketë akte dhune. Në një deklaratë për mediat, ai tha se "sipas deklaratave mediatike, rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë ta përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit mbrëmjen e 11 Majit, do të tentojnë sërish të njëjtat akte dhune, edhe në manifestimin e sotëm".

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga këto akte grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit, tha zv/Ministri, i cili shtoi se policia në bashkëpunim me prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese janë në ndjekje dhe po hetojnë të gjithë mekanizmin e organizimit dhe ekzekutimit të këtyre akteve kriminale. "Të gjithë autorët pa dallim do të përballen me forcën", theksoi Lamallari.

Sa i përket gazit lotsjellës, Lamallari tha se ai është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të policisë, përballë turmave të dhunshme.

"Përdorimi i gati lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik në përballjet me turmat e dhunshme, përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj. Nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti. Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi i qytetarëve të pa përfshirë në tubim nga gazi lotjellës"./tvklan.al

Recommended