Pendarovski dhe Siljanovska ne balotazh

  • 5 years ago
Stevo Pendarovski, kandidat i koalicionit qeveritar, është shpallur fitues në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, por me një diferencë shumë të ngushtë kundrejt Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase. Ai sot në një paraqitje publike një ditë pas zgjedhjeve, kërkoi votat e Blerim Rekës, siç tha, që vendi mos të humbasë kursin Perëndimor.

"Nga ata pres përkrahje në raundin e dytë, dhe u bëj thirrje të dalin të votojnë masivisht. E di se ata e mbështesin vizionin tim për Maqedoni evropiane dhe të integruar përkundër revizionit të gjithçka që arritëm dhe bllokadave që i paralajmëroi Siljanovska. Nga vota e tyre varet çfarë kursi do të ketë Maqedonia pas 5 Majit".

Por, votat e Rekës i pretendon edhe opozitarja e VMRO-DPMNE.

"Nëse krahasohen votat tona të fituara, por edhe votat e Blerim Rekës me votat e pushtetit, atëherë dallimi është mbi 70 mijë vota në favorin tonë".

Kandidati shqiptar Blerim Reka mbrëmë në një paraqitje publike bëri të ditur se nuk do të bëjë pazare me votat shqiptare. Monitoruesit ndërkombëtarë të udhëhequr nga OSBE/ODIHR janë të kënaqur me mënyrën se si u zhvillua raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe nga angazhimet e tre kandidatëve për përparimin evropian të Maqedonisë. Por vërejtjet kanë të bëjnë me kornizën ligjore dhe raportet financiare për mjetet e harxhuara gjatë fushatës.

Tv Klan

Recommended