Samiti digjital i Ballkanit do mbahet ne Tirane

  • 5 years ago
Vitin tjetër në Tiranë do të mbahet Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor. Nga Beogradi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Piramida do të trasnformohet tërësisht si qendra më unike në të gjithë Ballkanin.

"Kjo është një ditë shumë e mirë për Shqipërinë, sidomos për gjithë reformat në digjitalizimin e Shqipërisë dhe kryesisht të Tiranës. Kanë ndodhur disa gjëra shumë të rëndësishme në Samitin Digjital të Ballkanit. Së pari, Shqipëria dhe Tirana janë përzgjedhur si mikpritëse të Samitit Digjital të Ballkanit. Prandaj do të punojmë fort që në të njëjtën kohë, vitin tjetër, të kemi gati Piramidën si qendrën më unike në të gjithë Ballkanin për mësimin e teknologjisë së informacionit. Me përparimin e madh që ka bërë Shqipëria, sidomos në digjitalizimin e qyteteve, jemi një nga modelet që u vlerësuan edhe në samitin e sotëm".

Veliaj u ndal edhe tek heqja e kostove për roaming me vendet e rajonit.

"Është një ditë e shkëlqyer sidomos për ata që shpenzojnë me roaming dhe duan të bëjnë biznes apo të udhëtojnë në Ballkan. Falë punës së shkëlqyer të Majlinda Bregut dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunimin në Ballkan është realizuar dhe mundësuar marrëveshja e roamingut pa pagesë, kur vjen puna për udhëtimet brenda rajonit".

Samiti i Beogradit u organizua nga qeveria serbe dhe u mbështet nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, i cili fokusohet në aspektet kyçe të bashkëpunimit rajonal, si rritja e prosperitetit nëpërmjet rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe nxitjes së një zhvillimi më pozitiv për klimën e investimeve.

Tv Klan

Recommended