Rama: Vijojme mandatin deri në 2021

  • 5 years ago
Edi Rama i cilëson endacak në kërkim të pushtetit përfaqësuesit e opozitës që kanë protestuar edhe këtë të enjte përpara Parlamentit.

"Nuk di se si merret ndryshe pushteti, përveçse me zgjedhje dhe duke mos e ditur këtë, është fshehur në mes të ?popullit?, duke kërkuar njerëz të dëshpëruar, njerëz të verbër, të rinj rrugë humbur, që vënë kapuçin e xhupit në kokë dhe mësyjnë drejt forcave të policisë, të inkurajuara nga muzika e filmit ?Skënderbeu? dhe nga huri i Flamurit të Kukësit. E kam fjalën për të vetmin flamur për të cilin Kukësi nuk është krenar, jo për flamurin e Skënderbeut".

Edhe pse thotë se dy partitë e opozitës do rrinë jashtë Parlamentit deri në 2021 pasi këmbëngul se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, lë një mundësi bashkëpunimi me ta, reforma zgjedhore.

"Unë jam kundër votimit elektronik, por, pikërisht sepse dëshironim që të gjendej një rrugë dakordësie dhe të provonim edhe votimin elektronik dhe numërimin elektronik me shpresën që, mbase ata do pranojnë rezultatin, kemi punuar intensivisht dhe jemi bërë gati për të bërë disa projekte pilot në disa njësi në zgjedhjet bashkiake, për të parë rezultatet dhe pastaj për të shkuar drejt zgjerimit të këtij mekanizmi. Por as këtë jo. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë ne? Është një ide thjesht e vetëm për të ndenjur te gardhi. Këtu në Parlament nuk i fut dot ajo ide më ata, para Qershorit të vitit 2021".

Por dhe dora e shtrirë thotë se s'do të rrijë e tillë pa afat.

"Do të presim aq sa është e arsyeshme, sepse nuk do ta lëmë veten në dorë të gjykimeve subjektive në Qershor nga ana e Këshillit Europian, se ata nuk duan të vijnë. Ata nuk i duan negociatat. Ata mendojnë dritëshkurtësisht se, duke bërë këto që po bëjnë, do të pengojnë çeljen e negociatave. Këtë mund ta ndikojnë, por pjesa tjetër e mendimit dritëshkurtër, se duke mos u çelur negociatat, ata pastaj do e kenë më të lehtë të marrin pushtetin, është thjesht dëshpërim".

Në seancën e sotme në Parlament u betuan dhe dy deputetë të rinj, të dy të ardhur nga listat e kandidatëve të PD, Adriatik Alimadhi i përfshirë në këto lista si kreu i Partisë Balli Kombëtar dhe Arben Elezi që ulen në vendin e Edmond Spahos. Ambra Borova për arsye subjektive nuk ishte në seancë për të bërë betimin. Ajo do të zërë vendin e deputetit të LSI Agron Çela në Shkodër dhe është nusja e nipit të këtij të fundit. Në KQZ gjatë ditës së sotme ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit dhe Korab Lita, i cili është kandidat i PD në kryeqytet.

Tv Klan

Recommended