Meta flet per mosdekretimin e ministrave

  • 5 years ago
Mosdekretimin e 5 propozimeve për ministra që nuk vijnë nga radhët e parlamentit, Presidenti Ilir Meta e ka mbështetur në të drejtën që thotë se i jep Kushtetuta për verifikimin e integritetit të figurës për të gjithë emrat që do të ulen në karriget e lëna bosh nga parardhësit e tyre në qeveri.

?Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues?.

Në listën e gjatë të dekreteve të kreut të shtetit ishte edhe shkarkimi i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe emërimin në vend të tij të Gent Cakajt. Kreu i shtetit thotë se do të flasë me dekret brenda afateve të përcaktuara në ligjin themeltar të shtetit, ndërkohë që sqaron se është në pritje të përgjigjeve që do të vijnë nga institucionet të cilave Presidenca u është drejtuar për verifikim.

?Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigjia e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale?.

Mosdekretimi i ministrit të ri të Jashtëm nga ana e Presidentit pritet të shkaktojë edhe ngërçin e parë në diplomacinë shqiptare. Kjo pasi në 10 Janar në axhendën e përfaqësues së lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini është parashikuar një takim me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili nuk do të jetë i pranishëm, ndonëse qëndron ende në detyrë pas refuzimit për shkarkim nga ana e Presidentit Meta.

Kushtetuta i jep kreut të shtetit 7 ditë afat për tu shprehur me dekret për ndryshimet në qeveri. Të shtunën Presidenti Meta dekretoi vetëm 4 nga 9 emrat e propozuar nga Kryeministri Rama. Kjo është hera e dytë që Presidenti Meta nuk dekreton menjëherë ministra të kabinetit Rama. Pak kohë më parë një përplasje mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë u shënua për dekretin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të cilin kreu i qeverisë u shpreh se do t?i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar që të interpretojë nëse Presidenti ka të drejtë të mos dekretojë një ministër.

Tv Klan