Report TV - Vrasja e grekut, Athina: Duam sqarime/ Tirana: Ishte agresion ekstremist, dënoni sulmin

  • 6 years ago
Vrasja e ushtarit grek në Gjirokastër pasditen e sotme ka përplasur Tiranën me Athinën. Menjëherë pas ngjarjes ku mbeti i vdekur Konstantinos Kacifas, Ministri i Jashtëm grek, post që mbahet nga kryeministri Tsipras kërkoi nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 35-vjeçarit grek, ndërsa e cilësoi ngjarjen si të papranueshme.

Dyshohet se Konstantinos Kacifas hapi zjarr me një kallashnikov ndaj makinës së policisë shqiptare, e cila ishe në operacion për arrestimin e tij. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për vdekjen shtetasit grek, ngushëllime për familjen. Në çdo rast, është e papranueshme humbja e një jete. Ne presim që autoritetet shqiptare të sqarojnë plotësisht rrethanat në të cilat u vra shtetasi grek dhe më pas do të marrim masat e duhura menjëherë.

Ministria e Jashtme e Greqisë
Ndërkohë që Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar duke shprehur keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj. Tirana zyrtare thotë se ngjarja e sotme ishte totalisht e izoluar dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar, ndërsa shpreh zhgënjimin se përse Athina nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për "humbje jete të papranueshme".

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Recommended