Kapet i kerkuari per vrasje ne tentative, gjenden edhe mina me telekomande

  • 6 years ago
Policia e Lezhës dhe FNSH kanë zhvilluar një aksion të koduar "Telekomanda", ku kanë arrestuar disa persona si dhe janë sekuestruar armë, mina dhe lëndë narkotike.

Gjatë orëve të natës, në aksin Milot-Lezhë u ndalua një makinë tip "Opel" që drejtohej nga Endrit Vejsiu 29 vjeç nga Tirana. Në gomën rezervë, atij iu gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë. Minat ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.

Gjatë kontrolleve të policisë në Kurbin, u kap personi në kërkim Gentjan alias Gazmir Elezi 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras në Kurbin. Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin ka caktuar masën "Arrest në burg" për veprat penale "Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit". Elezi ka qenë i përfshirë në ngjarjen e datës 23 shtator 2015 në Mamurras, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes disa personave ka mbetur i vrarë shtetasi N.T.

Po në Kurbin, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard alias Gentjan Tafa 35 vjeç, banues në Malbardhë. Në Laç, gjatë kontrollit, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë. Arrestimi i Tafës u bë për veprën penale" Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".

I arrestuar në flagrancë gjatë këtyre kontrolleve është edhe shtetasi Eris Gjoni 20 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit tek një lokal në Lezhë, iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një shkop hekuri policor. Ai akuzohet për veprat penale "Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" si dhe "Mbajtja pa të drejtë e uniformës".

Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 12 orëve të fundit nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër janë shoqëruar për verifikim 15 shtetas me precedentë penalë.

Recommended