Lirohet nga qelia Ermal Hoxha

  • 6 years ago
Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha është i pari që lirohet nga 9 pjesëtarët e grupit Xibraka, te dënuar për prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike.

Gjykata e Fierit me një vendim të datës 13 Shtator liroi me kusht Hoxhën pasi kishte kryer pjesën me të madhe të dënimit prej 6 vite e 8 muajsh.

Gjatë kësaj kohe ai kishte përfituar dhe ulje të dënimit. Hetimi për grupin e Xibrakës nisi në 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas një informacioni të mbërritur nga Gjermania.

Sipas akuzës 9 persona kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike nga Kolumbia në Europë.

Ata kishin ngritur  një laborator në Xibrake të Elbasanit, ku ishin punësuar dy kolumbianë. Cesar Avila dhe Valter Moreno u dënuan me nga 8 vite burg.  E njëjta masë u dha edhe për Ilir Hysenin, Saimir Batkun dhe Genci Xhixhan, ky i fundit në mungese u dënua me 8 vite e 8 muaj heqje lirie.

Ndërsa Gentin Gjoni dhe Klement Dalipi u dënuan me nga 7 vite e 4 muaj burg. Gjykata e Shkalles se Parë në Korrik të 2017 i dënoi 9 pjesëtarët e këtij grupi me 104 vite burg në total duke mospranuar gjykimin e shkurtuar.

Ky vendim u prish nga Apeli, i cili vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar dhe dënoi përfundimisht 9 të pandehurit me 69 vite heqje lirie. Vendimi i gjykatës së Apelit nuk iu bë rekurs ne Gjykatën e Lartë nga ana e Prokurorisë.

Tv Klan

Recommended