Rruga e Kombit që sot me pagesë, koncesionari: S’ka patur probleme, po punojmë me 10 sportele

  • 6 years ago
Ka nisur aplikimi i tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit. Kompania koncesionare është shprehur se procesi ka nisur pa probleme. Janë 10 sportele ku do të kryhet pagesa, ndërkohë që vetëm për banorët e Kukësit janë vënë në funksion 2 sportele.Siç është bërë e ditur edhe më herët pagesa për banorët e zonës dhe ata që jetojnë në Kukës do të jetë 100 lekë të reja, ndërsa tarifimi do të mbetet 5 euro. Në vendimin zyrtar të qeverisë janë 3 kategori që përfitojnë nga skema lehtësuese për përdoruesit e rrugëve. Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem, dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar.

Për të eliminuar kostot për banorët, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë lincesuar në qark. Sipas firmës koncesionare, e cila do të merret me mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, përveç projekteve sociale që synojnë punësimin e mbi 200 banorëve të Kukësit, gjatë 4 viteve synohet realizimi i një sërë projektesh. Për kategorinë ?Përdorues të shpeshtë?, pavarësisht nga klasa e automjetit, zbritja e tarifës do të bëhet për numrin e kalimeve, pasi sistemi do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo automjet. Sipas përllogaritjeve, gjatë një dite në Rrugën e Kombit lëvizin rreth 5.000 automjete.

Policia e Shtetit është vendosur në Rrugën e Kombit në afërsi të sporteleve ku do të kryhet pagesa për të siguruar që procesi i aplikimit të tarifës për ditën e parë do të kalojë pa probleme. Prej disa ditësh në rrjetet sociale është shpërndarë thirrja për organizimin e një proteste në Rrugën e Kombit. Shqiptarja.com mëson se në ndihmë të policisë së Rendit kanë shkuar forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana. 10 furgona të FNSH-së janë stacionuar në Kukës-Kalimash. Anëtarë të shoqërisë civile janë mbledhur për të protestuar në qendër të Kukësit, ndërsa pjesëmarrja në protestë ka qenë minimale.

Recommended