Report Tv-Kuvendi mblidhet paralajmërimi i Xhafajt: Në shtator-tetor godasim grupet kriminale
  • 6 years ago
TIRANË- Ditën e sotme është zhvilluar seanca e parë parlamentare pas shkëputjes së pushimeve. Në sallë prezent kanë qënë vetëm deputetët e maxhorancës, ndërsa opozita (PD, LSI dhe aleatët e tjerë) siç edhe kishte paralajmëruar ka zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm në Shkodër.

Seancën e hapi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili në fjalën e tij u bëri edhe njëherë thirrje palëve politike që të bashkëpunojnë për të shkuar më afër Europës. Fjalën pas Ruçit e ka marrë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taluant Balla dhe pas tij ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit, komentoi ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Shkodër duke paralajmëruar se në muajt në vijim Policia e Shtetit do të godasë bandat kriminale që operojnë në vend.

Xhafaj: Dua të ndalem në fjalën time në këtë seancë, mbi situatën e rendit dhe sigurisë në muajt e fundit në shkallë vendi dhe posaçërisht në disa qarqe të vendit, dhe akoma në mënyrë më të veçantë në lidhje me Qarkun e Shkodrës. Kjo e lidhur edhe me ngjarjet e fundit të ndodhura në këtë qark me disa vrasje të ndodhura gjatë muajve Qershor, Korrik, Gusht dhe tani në Shtator. Natyrisht ajo çfarë është duke bërë opozita, nuk është gjë tjetër veçse një sulm agresiv i qëllimshëm, për të krijuar një perceptim të gabuar rreth rendit dhe sigurisë në vend dhe padyshim për të nxirë imazhin e vendit dhe të Policisë. Nuk dua t'i hyj fare diskutimit, se cili është konteksti i vrasjeve që kanë ndodhur këto muaj në Shkodër, as dhe cila është natyra e disa prej viktimave të përfshira në këto ngjarje, apo sa dhe si këta të fundit, kanë qenë vetë të përfshirë në vrasje të mëparshme si autorë të vrasjes. Kjo nuk është detyra ime sot. Kjo është përgjegjësi e hetimit që është duke u zhvilluar me shumë intensitet, me një përgjegjësi të veçantë së bashku me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Recommended