Report Tv - U fut në Shqipëri me grupin e refugjatëve, arrestohet terroristi që ka luftuar në Siri

  • 6 years ago
Një emigrantë që dyshohet se ka qenë pjesë e grupeve terroriste në Siri dhe ka mbërritur në Shqipëri, është ndaluar nga policia. Një burim nga Policia e Shtetit i tha Report Tv se bëhet fjalë për një person rreth 35 vjeç, i cili ka hyrë në Shqipëri dy ditë më parë, me një grup emigrantësh që po tentonin të shkonin në vendet e BE-së.

Ky person nuk ka pasur asnjë mjet identifikimi, por një informacion sekret i dhënë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, e identifikoi terroristin e dyshuar. Menjëherë Policia e ndaloi dhe e çoi në Qendrën e Mbyllur për të Huajt në Kareç të Shijakut. Ky person sipas burimeve, ka qenë pjesë e një grupi terrorist në Siri, që ka luftuar me ta, por që ka tentuar të shkojë drejt vendeve të BE-së me një identitet të ri.

Terroristi i dyshuar ka qenë pjesë e një grupi prej 16 emigrantësh që u kapën dy ditë më parë pranë pikës kufitare të Kapshticës. Ai nuk e ka dhënë emrin e tij të saktë para policisë, por informacioni i SHISH, që ka ardhur nga agjencitë e huaja, bëri të mundur identifikimin e terroristit të dyshuar.

Nuk është hera e parë që ndodh që në Shqipëri ndalohen persona që mund të kenë luftuar përkrah grupeve terroriste në Siri dhe Irak. Autoritetet shqiptare janë përpjekur ta mbajnë sekret arrestimin e sirianit.

Të dhënat për terroristin e dyshuar janë çuar te Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe tashmë pritet që ky person të dorëzohet tek autoritetet e huaja. Edhe largimi nga Shqipëria i personave që dyshohet se kanë luftuar me grupet terroriste mbahet i fshehtë.

Recommended