Reforma Territoriale, studimi: Bashkitë varen nga qeveria, s’mbledhin dot taksat

  • 6 years ago
Edhe pse kanë kaluar 3 vjet nga zbatimi i reformës territoriale,  një studim  zbulon se bashkitë mbeten ende të varura nga Qeveria, pasi nuk janë në gjendje të mbledhin taksat vendore. Ekspertët thonë, se niveli i transfertës së pakushtëzuar mbetet i ulët për shumicën e bashkive, duke dëmtuar performancën e tyre në shërbim të qytetarëve.



Më shumë se 3 vite nga zbatimi i reformës Administrativo-Teritoriale, bashkitë në Shqipëri ende mbeten të varura tek qeveria ndërkohë që nuk janë të afta të mbledhin dot as taksat dhe tarifat vendore.

Ky është rezultati i një studimi të bërë, i cili nxjerr në pah faktin, se qeverisja në nivelin e pushtetit vendor lë për të dëshiruar, përkundër objektivave të synuara nga Reforma Administrative Territoriale.

Sorina Koti, eksperte: Nga 61 bashkitë, të cilat dolën nga reforma e re, na ka rezultuar që bashkitë nuk janë në atë gjendje financiare që pritej të ndodhte pas zbatimit të reformës. Bashkitë nuk e kalojnë masën e 30-40% të nivelit të të ardhruave të tyre.

Për ekspertët, niveli i transfertës së pakushtëzuar mbetet i ulët për shumicën e bashkive.

Madje, studimi ka treguar, se bashkitë e vogla kanë rezultuar më të penalizuarat nga kjo transfertë.

Sinkron Sorina Koti, eksperte: Nga viti 2015, 2016 dhe 2017 nuk kemi ndonjë shtesë të transfertës së pakushtëzuar. Minimalisht kërkohej një rritje deri në 30% nga transferta në transfertë, e cila nuk është reflektuar realisht në ndarjet e bashkive. Plus që, formula që është parashikuar me ligj, për transfertën e pakushtëzuar, ka penalizuar bashkitë e vogla.

Koti thotë, se efekt i parë i konstatuar nga reforma është shtimi i shpenzimeve të bashkive për administratën.

Sinkron Sorina Koti, eksperte: Një nga argumentat kryesor për rritjen e shpenzimeve koherente dhe për pagat, vjen për shkak se bashkitë nuk janë të afta për të mbuluar gjithë teritorin e ri që e ka bashkia e madhe. Për këtë, janë punësuar njerëz të tjerë dhe në listë pagesat e tyre mund të gjesh 25% më shumë punonjës seç kanë qenë përpara zbatimit të reformës.

Bashkitë, kanë rezultuar, se nuk janë të afta që të hartojnë strategjitë për zhvillimin e tyre.

Sinkron Sorina Koti, eksperte: Një problem tjetër që është hasur gjatë dy viteve të fundit, ka të bëjë me strategjitë e zhvillimit kombëtar që bashkitë nuk janë të afta të hartojnë strategjitë e tyre lokale, si në nivel bashkie ashtu edhe qarku.

Ekspertët sugjerojnë, që pushteti qëndror duhet të delegojë për zbatim tek bashkitë Strategjitë e Zhvillimit Kombëtar dhe kriteret, si dhe më shumë pushtet dhe vendimmarrje drejt pushtetit lokal.