Report TV - 'Dua të shoh paratë'/Si pagoi 6000 € policja për legalizimin e banesës

  • 6 years ago
Zbulohet skema e korrupsionit për legalizimin e një objekti nga zyra e ALUIZNI-t të zonës së Laprakës. Report TV disponon dosjen e plotë, ku tregohet se si efektivja e policise, Kleona Sala kishte rënë në kontakt me përgjegjësin e zyrës së ALUIZNI-t, Marin Bezhani, i cili është edhe personi që mori përsipër legalizimin e objektit duke kërkuar si ryshfet 6 mijë euro. Policia prangosi dy ditë më parë policen dhe tre zyrtarë, mes të cilëve dhe përgjegjësin e zyrës së ALUIZNIT të Laprakës, Marin Bezhani.

Sipas prokurorisë, Merita Sala, nëna e efektives së policisë kishte aplikuar për të legalizuar banesën që prej vitit 2014, por deri një javë më parë nuk i ishte legalizuar. Për këtë, vajza e saj është takuar me një shtetase me emrin Sofie me të cilën kishte njohje, dhe ajo i kishte premtuar se do ta lidhte me dikë për të mbaruar punë. Kjo e fundit e ka takuar efektiven e policisë, Kleona Sala me Brikena Bellin, e cila punonte tek Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Tiranë.

Në prezencën e saj ajo i ka telefonuar të enjten e shkuar rreth orës 08.30 dhe në mbrëmjen e po kësaj dite ato janë takuar që punonjësja e Hipotekës të shikonte dokumentet. Të nesër, në takim është thirrur edhe Kleona Sala, e cila ka folur me Brikena Belin me ndërmjetësimin e mikeshës së saj me emrin Sofie. Punonjësja e Hipotekës, i ka thënë Salës se nuk është puna e saj por ajo do të kontakte me një mikun e saj tek ALUIZNI, i cili mund të mbaronte punën, duke nënkuptuar Marin Bezhanin.

Recommended