Zëdhënësja e KE: Nuk ka kërkesa për rikthim të vizave

  • 6 years ago
Në fund të këtij viti shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të bëjnë vlerësimin e situatës se lëvizjes se lirë për vendet e Ballkanit perëndimor. Mbi shqetësimin e rikthimit të vizave zëdhënësja e Komisionit Europian, Tove Ernst thotë se deri tani nuk ka kërkesa konkrete, por situata me azilkërkuesit po monitorohet në vazhdimësi.

?Qytetarët e vendeve të Ballkanit kanë të drejtë të rrinë për një periudhë të caktuar në territorin e BE-së, por nuk duhet abuzuar me këtë të drejtë për të kërkuar azil. Deri tani, nuk kemi marrë njoftim nga asnjë shtet anëtar, por vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën. Siç ju referuat dhe ju, kemi mekanizmin e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë dhe raporti i radhës do të prezantohet në fund të këtij viti".

Shqipëria mban ende numrin më të lartë të azilkërkuesve nga Ballkani dhe për këtë zëdhënësja e Komisionit evropian thotë se duhet më shumë sensibilizim nga autoritetet në Tiranë.

"Sipas shifrave që disponojmë deri në verë, rezultojnë se për 2017 ka 26 mijë kërkesa azili nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe gjysma e tyre janë bërë nga qytetarë shqiptarë. Ne jemi në kontakt direkt me autoritetet shqiptare dhe e vlerësojmë që kjo çështje shihet me vëmendje. Nga njëra anë, kjo duhet trajtuar në nivelin kombëtar përmes fushatave të sensibilizimit për të informuar të gjithë qytetarët për të drejtat dhe detyrimet, por nga ana tjetër duhet punuar për të luftuar rrjetet e trafikantëve, që ndihmojnë qytetarët për të lëvizur brenda Bashkimit Europian".

Bashkimi Europian po shqyrton edhe një sërë masash të reja për të riatdhesuar në mënyrë më të shpejtë ata që u mohohet azili në hapësirën Shengen./Tv Klan

Recommended